Vizitë në Kosovë 2022
KOSOVA – NJËZET VJET MË VONË
Më 17 gusht 2022 , u nisa për në Kosovë me shoqen dhe asistenten time të dashur, Genevieve Feiner. Shkuam për të vizituar familjet me të cilat kam jetuar gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta, për të kuptuar sa më shumë për ndryshimet atje dhe për të promovuar librin tim të sapobotuar, "Një amerikane në Kosovë."
Hera e fundit që e vizitova ishte në vitin 2002 - njëzet vjet më pare. Ishte një ribashkim i mrekullueshëm me miqtë dhe familjen shqiptare – sikur të notosh në një oqean dashurie – kaq emocionues, i thellë dhe i fuqishëm. Unë pothuajse kurrë nuk qaj, por takimi me këto familje dhe komunitete pas kaq shumë vitesh, duke kujtuar gjithçka që kemi kaluar së bashku gjatë viteve të vështirësive dhe dhunës në Kosovë, më ka bërë me lot vazhdimisht.
KOLEKSIONE FOTO
Në ditën tonë të parë në Kosovë, patëm nderin të takojmë Presidenten Vjosa Osmani – një grua inteligjente, e këndshme dhe e ditur politikisht. Biseduam për punën që kisha bërë në Kosovë, dashurinë time për vendin e saj, ndryshimet e pabesueshme që kanë ndodhur në shoqëri dhe sfidat me të cilat ajo përballet. Më së shumti doja ta lavdëroja për guximin e saj për t’i prirë Kosovës përpara. Bravo ju koftë zonja Presidente!
Ndalesa jonë e radhës në Prishtinë ishte salla e provave e Shotës, ansamblit profesional të valleve popullore kosovare/shqiptare. Pikërisht këtu, si anëtar e ftuar e ansamblit në fillim të viteve 80-ta, mësova për vallëzimin shqiptar nga Xhemali Berisha, Drejtor Artistik i asaj kohe dhe nga Kiki, Fatmirja , Hakiu, Skenderi dhe të gjithë valltarët e Shotës. Drejtori Artistik i tanishëm Ylber Asllanaj, na priti në ndërtesën e rinovuar bukur dhe pata rastin të kërceja sërish në atë sallë të çmueshme. Si kudo në Prishtinë, shumëçka kishte ndryshuar, por kujtimet e valleve që kisha hedhur atje kohë më parë, m’u kthyen vërshueshëm.
Atë pasdite të parë, pas një shëtitjeje të bukur në shëtitoren e gjallë në qendër të qytetit, lamë qytetin dhe u drejtuam për në male. Destinacioni: Opoja, një rajon malor në jugperëndim të Kosovës në kufi me Maqedoninë dhe Shqipërinë ku kam bërë kërkimet e disertacionit tim në fund të viteve 1980-ta. Më dukej sikur nuk kishte ecur koha nga vizita ime e fundit 20 vjet më parë. Mëngjesin tonë të parë në Opojë, u pritëm me mëngjesin e përsosur shqiptar: supë pule, speca të fërguar, vezë të fërguara, djathë deleje nga malet e Sharrit, domate dhe tranguj, kos dhe në fund, gota të vogla me çaj si desert.
Ishte e mrekullueshme tek shihja Genevieve-n duke përjetuar gjithë këtë për herë të parë!
Kështu filluan dy javët e zhytjes sonë në jetën e komuniteteve që kisha njohur në Kosovë – në Opojë, Viti, Ferizaj, Has dhe Prishtinë. Unë ende jam tejet e dashuruar me peizazhin e fshatit Kosovar: fusha të arta të rrethuara nga sipërfaqe dramatike malore dhe, stuhitë e pasditeve verore që trazojnë shpirtin dhe i falin tokës jetë.
NJË VEND I TRANSFORMUAR
Përtej bukurisë së peizazhit të bukur të Kosovës dhe njerëzimit bujar, vendi ishte transformuar plotësisht që nga lufta e vitit 1999 që i dha fund 100 viteve të nënshtrimit nën Serbinë dhe çoi në pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Shqiptarët ia atribuojnë mbijetesën e tyre si popull dhe pavarësinë e tyre si shtet, Bill Clinton-it dhe Madeleine Albright-it (të cilët e bindën NATO-n të ndërhynte dhe të ndalonte serbët në 1999). Ata gjithashtu kanë një nderim të lartë për Richard Holbrook-un (i dërguari special i Clinton-it për zgjidhjen e krizës në Kosovë), Wesley Clark-un (Komandantin Suprem i Aleatëve të NATO-s për Evropën gjatë luftës) dhe Senatorin Bob Dole (i cili ishte përkrahës i Pavarësisë së Kosovës para luftës). Kudo që shikon në Kosovë ka flamuj amerikanë, emërtime rrugësh dhe statuja kushtuar këtyre heronjve. Sapo vendasit e kuptojnë se jeni amerikanë, sigurohen që t’ua bëjnë me dije se shqiptarët, mbijetesën e tyre si popull, ia atribuojnë SHBA-së. Është thellësisht prekëse dhe frymëzuese, të jesh në një vend që e do Amerikën kaq shumë. E dëgjonim çdo ditë, të shprehur në shumë mënyra, si p.sh.
"Amerika është feneri ynë i dritës."
"Amerika është oksigjeni që ne thithim."
"Ne jemi këtu falë Amerikës."
"Ne jo vetëm që e duam Amerikën, ne jemi Amerika."
"Vetëm SHBA-ja na ka qëndruar gjithmonë pranë, është i vetmi vend tek i cili mund të mbështetemi."
Mustaf Tafa e shpreh bukur: “Amerika pasqyron lirinë dhe demokracinë që e gjithë bota duhet ta respektojë dhe përqafojë. Ishte fati ynë më i madh që kishim një mik si Amerika. Nuk është vetëm brezi ynë që i është mirënjohës Amerikës, por të gjithë brezat që do të vijnë”.
Ishte e pabesueshme të shihje se çfarë kanë arritur shqiptarët që nga paslufta. Falë euforisë së madhe që erdhi me pavarësinë, energjisë së jashtëzakonshme të shqiptarëve, njohurive të tyre të natyrshme afariste dhe investimeve masive nga emigrantët që jetojnë jashtë, gjithçka ka ndryshuar atje që nga përfundimi i luftës. Shtëpi të mëdha, të bukura, restorante dhe biznese gjenden kudo. Qytetet që vizituam (Prishtina, Vitia, Ferizaj, Prizreni dhe Dragashi) ishin të mbushura me aktivitete. Rrugët dhe kafenetë ishin plot me njerëz, trafiku ishte i çmendur, gjithçka ishte në lëvizje.
Migrimi për motive punësimi, kryesisht në Evropë, është çelësi i gjithë kësaj. Nga 1.8 milionë shqiptarë të Kosovës, së paku një e treta jetojnë jashtë vendit dhe të gjithë po ndërtojnë shtëpi të mëdha në Kosovë. Ecni nëpër një rrugë fshati dhe nga pamja e shtëpive do të mendoni se jeni në Gjermani, Austri ose Zvicër.
Por migrantët në fakt nuk jetojnë në shtëpitë e tyre të bukura, të cilat janë ndërtuar për të dalë në pah (një simbol shumë i dukshëm ky i suksesit të një emigranti), për mbledhi të mëdha familjare gjatë verës, si dhe për kohën pas pensionimit. Ta kalosh pensionimin në Kosovë? Vërtet? Këto shtëpitë, për mua, janë një shprehje prekëse e “mitit të kthimit” – nocioni i idealizuar i migrantëve se një ditë do të kthehen në Kosovë.
Pse është ky një "mit"? Sepse fëmijët e emigrantëve tani kanë fëmijë të tyre që po rriten si evropianë. Pas asimilimit të jetës në perëndim, këta fëmijë nuk ka gjasa që të kthehen në Kosovë. Ata kënaqen me vizitat verore në fshatin e prindërve të tyre (të paktën tani për tani), por të ardhmen e tyre e shohin në Evropë. Dhe gjyshërit duan të jenë aty ku janë nipërit – jo në Kosovë, në shtëpitë e tyre të bukura, të vetëm. Ata do të plaken në Evropë sepse i adhurojnë nipërit e mbesat, por edhe për faktin që në Kosovë nuk ka shtëpi për pleq. Fëmijët kujdesen për prindërit e tyre, në shtëpi, kudo që të jenë, derisa të vdesin. Kështu ka qenë gjithmonë.
I pyetur nëse do të kthehet të jetojë në Kosovë, Faruk Tafa, miku ynë nga Vitia i cili ka jetuar me dekada në Nurnberg, e përmblodhi kështu: “Përgjigja emocionale është po. Përgjigja praktike është Jo.”
E ARDHMJA E KOSOVËS
Është një paradoks i dhimbshëm: Në një shoqëri ku familja është gjithçka, një pjesë e çdo familjeje është jashtë vendit, ose përpiqet të shkojë atje. Gjëja që shqiptarët i duan më së shumti – mundësitë për të fituar para jashtë vendit dhe për të pasur një punë të qëndrueshme dhe sigurim social – është duke e minuar atë që ata e çmojnë më së shumti: të qenit bashkë. Në njërën anë, migrimi ka transformuar një vend të pazhvilluar në një shoqëri moderne. Në anën tjetër, familjet janë të ndara, fshatrat janë gjysmë bosh dhe eksodi nuk tregon shenja ngadalësimi.
Një në çdo dy shqiptarë që ende jetojnë në Kosovë përpiqen të largohen – veçanërisht të rinjtë; dhe Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Pse duan të ikin? Për vendet e punës, sigurinë e punës, kujdesin shëndetësor cilësor dhe arsimin në të nivelit Evropian. Pse ka shumë pak punë që paguhen mirë? Sepse nuk ka mjaftueshëm ndërmarrje prodhuese. Pse mungon kjo? Sepse të huajt, dhe vetë shqiptarët, kanë frikë të investojnë në një rajon që ende konsiderohet të jetë një pikë e nxehtë e mundshme politike. Shqiptarët po investojnë në shtëpi dhe restorante luksoze, në dasma dhe makina të shtrenjta, në vend të industrisë dhe infrastrukturës. Shërbimet sociale janë të pamjaftueshme sepse Kosova është një vend i ri që po përpiqet t'i kuptojë si shkojnë gjërat, por edhe për shkak të pengesave dhe konflikteve në mënyrën se si Kosova vetëqeveris.
Çdo ditë gjatë vizitës sonë flisnim me njerëz për ndryshimet në jetën e tyre, migrimin, të ardhmen e tyre personale dhe të ardhmen e Kosovës. E pyeta Laura Tafën (mbesën e Farukut), e cila la prindërit e saj në Viti për të jetuar me burrin e saj në Nurnberg, nëse preferonte të jetonte në Kosovë apo në Gjermani. Përgjigja e saj pasqyronte ndjenjën e shumë shqiptarëve: “Kam katër fëmijë. E vetmja gjë që më intereson është mirëqenia e tyre, që do të thotë kujdes i mirë mjekësor dhe arsimim i mirë. Këtë e kemi në Gjermani, në Kosovë jo. Ende jo.” Asaj i mungojnë prindërit dhe vendlindja, por fëmijët e saj janë në rend të parë. Që Laura dhe vëllezërit e saj (të cilët, të gjithë janë ose do të jenë së shpejti në Gjermani) të kujdesen për prindërit e saj, prindërit duhet të plaken gjithashtu atje. Kaq për mitin e kthimit.
Shqiptarët presin një zgjidhje politike të problemeve të tyre, duke shpresuar se njohja e plotë si shtet dhe pranimi në BE do të sjellë investime të mëdha të huaja, vende pune dhe jetë cilësore dhe, kjo do ta ndalojë përfundimisht eksodin. Cilat janë sfidat me të cilat përballet Kosova? Në vijim janë radhitur disa nga to:
-
Kosova u bë shtet në vitin 2008. Nga 193 shtete të Kombeve të Bashkuara , 117 e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, duke përfshirë SHBA - në, Britaninë e Madhe dhe 22 nga 27 vendet e BE-së.
-
Rusia dhe Kina, të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet, e kanë bllokuar anëtarësimin e saj në OKB. Presidenti serb Vuçiq është zotuar se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
-
Kosova dëshiron të jetë pjesë e BE-së, por nuk mund të bëhet as kandidat derisa të njihet si shtet nga të gjitha vendet e BE-së dhe të përmbush 94 kërkesa – dyfishi i numrit që vendet e tjera duhet të përmbushin. (Serbia është vend kandidat për në BE që nga viti 2012, Shqipëria që nga viti 2014, Maqedonia që nga viti 2005.)
-
Një nga prioritetet kryesore të Kosovës është “liberalizimi i vizave” (udhëtimi pa viza brenda Evropës). Ata presin që Parlamenti Evropian të bjerë në ujdi për këtë – me shpresë deri në fund të vitit 2022. A nuk do të nënkuptonte kjo thjesht më shumë migrim? Jo, thonë shqiptarët. Do të thotë që të rinjtë mund të kënaqin dëshirën e tyre për të parë botën e jashtme dhe nuk do të duhej të emigronin për ta bërë këtë.
Thuhet se një kulturë është po aq e madhe sa edhe ëndrrat e saj. Në një vend ku ka siguri të madhe në përqafimin e ngrohtë të familjes, por nuk ka siguri për të ardhmen e vendit tuaj, apo veten dhe fëmijët tuaj, është e vështirë të ëndërrosh.
Unë do të vazhdoj ta shtroj pyetjen: cila është ëndrra e Kosovës për veten?
Në shtëpitë që vizituam gjatë udhëtimit tonë, simbolet më të spikatura të së kaluarës shqiptare ishin zhdukur. Nuk kishte më sofra (tavolina ngrënjeje të ulëta, të rrumbullakëta), shilte (sfungjer për t'u ulur në dysheme), oxhak me dru, magje (arkë me këmbë për miell e brumë) ose vek (tezgjah). Gjithçka është moderne, duket shumë evropiane, ashtu siç e prisja.
Por ajo që është me të vërtetë e rëndësishme, ajo që më tërhoqi në Kosovë në radhë të parë, nuk ka ndryshuar: ngrohtësia dhe dashuria mes shqiptarëve, përkushtimi i tyre i zjarrtë ndaj familjes, dashuria e thellë për kulturën e tyre dhe një traditë mikpritjeje që nuk njeh kufi.
Ishte shumë e vështirë t'i thosha lamtumirë Kosovës pas kësaj vizite. Unë jetoj në një vend të bukur (Santa Barbara në Kaliforni), i jam përkushtuar punës sime të ndihmës humanitare (në Ruanda, Afrikë Lindore), por zemra ime i përket Kosovës. E di që do të kthehem atje në vazhdimësi, ndoshta derisa të vendosem përfundimisht atje, në "hiraeth"-in tim, në vendin ku shpirti më pushon.
Shpresoj t'ju pëlqejnë këto fotografi nga udhëtimi. Videot do të jenë gati së shpejti!
LIBRI IM PËR KOSOVËN
Kur shkrova kujtimet për jetën time në Kosovë, nuk e kisha ndërmend ta botoja. Por, thjesht nuk doja që kujtimet të zhdukeshin. E shkrova gjatë momenteve të mia të rralla të kohës së lirë, midis viteve 2001 dhe 2010, duke menduar se një ditë mund t'ua jepja miqve dhe familjes për ta lexuar në anglisht. Por së fundmi kuptova që libri fillimisht duhej të botohej në shqip dhe të ofrohej falas, si dhuratë për Kosovën.
Falë një ekipi të mrekullueshëm – Nazim Haliti që përktheu, Artan Aliu që redaktoi dhe Arsim Canolli që e botoi, versioni shqip i librit u bë gati brenda katër muajve. Arsimi do të publikojë në tetor versionin online në anglisht, sërish falas për lexuesit.
Nuk kisha pritshmëri se si do të pritej versioni shqip i librit në Kosovë. Nuk isha e sigurtë që shqiptarët do të kishin interes për një libër mbi të kaluarën e tyre; diçka që ata e dinë aq mirë. Por për habinë dhe kënaqësinë time të madhe, libri është përqafuar me entuziazëm, në Kosovë dhe në diasporë, nga të rinjtë shqiptarë që duan të kuptojnë Kosovën e “vjetër”, si dhe nga prindërit e tyre, nostalgjikë për të kaluarën dhe të interesuar për të mësuar rreth rajoneve të tjera nga ato ku ishin rritur.
Pjesa më e çmueshme e botimit të librit ishte ndarja e librit të shtypur me njerëzit për të cilët kisha shkruar; duke parë fytyrat e tyre të ndriçuara tek shihnin faqet për familjet e tyre dhe fotot e njerëzve të dashur, shumë prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Libri solli kujtime të përlotura të një mënyre të mëparshme jetese që ishte e vështirë dhe plot dhimbje e sakrifica, por që çmohej nga ata që kanë parë tek zhduken mënyrat e vjetra të saj.
Promovimi zyrtar i librit u bë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë më 1 shtator. Për habinë dhe kënaqësinë time të madhe, miq të dashur nga e gjithë Kosova erdhën në këtë ngjarje, njerëz nga të gjitha anët e së kaluarës sime - si një episod i “This is your life” (Kjo është jeta jote). Një festë dashurie dhe miqësish të përjetshme që nuk do ta harroj kurrë.
Për shkak të promovimit të librit, m'u kërkua të jepja intervista në disa programe televizive dhe bëra çmos, në shqipen time të papërsosur, që të shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time për Kosovën, për gjithë ata shqiptarë, në Kosovë dhe në diasporë. Linqet e intervistave
Tani jam kthyer në shtëpi në Santa Barbara dhe, megjithëse jam 6,557 milje larg Kosovës, ndihem gjithmonë e lidhur, përmes fotove, videove, kujtimeve dhe komunikimit të përditshëm me miqtë dhe familjet shqiptare përmes Facebook-ut. Një gjë është e sigurt: do të kthehem në Kosovë, me shpresë verën e ardhshme. Ishallah!
Shënim: Nga respekti për njerëzit në foto dhe video, materialet në këtë faqe interneti NUK MUND të përdoren për qëllime komerciale. Ju lutem më kontaktoni përpara çdo shfaqjeje publike, publikimi, citimi ose riprodhimi.